Nagavci: Konjufca do të bënte pune të shkëlqyeshme, ishim gjenerozë me opozitën për Presidentin

Nagavci: Konjufca do të bënte pune të shkëlqyeshme, ishim gjenerozë me opozitën për Presidentin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit para fillimit të seancës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti është duke u angazhuar dhe në vazhdimësi ka bërë propozime në zgjidhje të ngërçit në të cilin jemi.

Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmëri që të japë pozitën e dytë kryesore, kryetarin/en e Kuvendit.

“Ju e dini që Kryeministri Kurti tashmë ka bërë propozime konkrete për bashkëqeverisje, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë e lëshimit të pozitës së kryetarit apo kryetares së vendit, qoftë për LDK-në, qoftë për PDK-në. Në ditët e mbetura, unë vërtetë pres që të gjithë deputetët, por veçmas dhe partitë politike, të cilat mbi të gjitha deklarojnë se janë për shmangien e zgjedhjeve të reja, të tregojnë, përtej asaj se bllokojnë mundësinë për gjetjen e zgjedhjes, të tregojnë specifikisht çfarë për ata do të ishte e vlefshme apo e duhur. Edhe sot që flasim, ne nuk e dimë cilët janë emrat konkretë të cilët do t’i mbështeste PDK-ja ose LDK-ja, ose cila është marrëveshja specifike çfarë kërkojnë, sepse tashmë ju e dini që ne kemi një ofertë për marrëveshje për bashkëpunim, gjegjësisht marrëveshje politike.

E pyetur se a do ta ftojnë seancën për president, Nagavci tha se janë duke punuar maksimalisht nëpër komisione për numrin e madh të ligjeve që janë në trajtim, duke shtuar se janë të gatshëm dhe kanë vullnet për ta zgjidhur çështjen e presidentit.

“Ju e shihni që si deputetë të grupit më të madh parlamentar, ne jemi tejet intensivë gjatë këtyre ditëve në punën në Kuvend. Janë një numër i madh i ligjeve të cilat janë duke u trajtuar, të gjithë deputetët janë duke punuar maksimalisht edhe në komisione. Sot në mbledhje të kryesisë u vendos edhe për një seancë të cilën kemi propozuar ta kemi ditën e hënë. Pra ne do të kemi dy seanca: një seancë solemne për nderim të mikut të madh të Republikës së Kosovës, Eliot Engel, ndërkohë që kemi edhe një seancë ku do të votohen dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët e bordit të RTK-së, anëtarët e bordit të KPM-së dhe disa projektligje të tjera të rëndësishme. Ndërkohë që ditën e hënë do të kemi një seancë ku do të votohen anëtarët për AKP, por edhe disa projektligje të tjera të rëndësishme, anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe vendime të tjera. Si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje edhe me datën 5 mars, por edhe cilëndo prej ditëve që kanë në propozim, jemi të gatshëm edhe të vullnetshëm që të votojmë për Presidentin e vendit. Pra këtë pyetje duhet t’ia bëni edhe deputetëve të partive të tjera, ndërkohë që Kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, është duke u angazhuar dhe në vazhdimësi ka bërë propozime në zgjidhje të ngërçit në të cilin jemi. Ne kemi propozuar zotërin Glauk Konjufca, nënkryetarin e Lëvizjes, për President siç e dini, në mënyrë që të mos ketë një bllokadë në të cilën pati që jemi. Aktualisht ne nuk kemi dëgjuar ndonjë emër tjetër i cili do të sfidonte zotërin Konjufca për President. Personalisht mendoj që nënkryetari i Lëvizjes, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Jashtme, zotëri Glauk Konjufca, do të bënte një punë të shkëlqyeshme si President. Nëse dikush ka një mendim tjetër do të duhej të na tregonte kush është presidenti apo presidentja që do ta bënte më mirë këtë punë”, tha Nagavci

E pyetur për kinse pazaret që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmendi, shefja e LVV-së tha se nuk ka pazar por oferta serioze.

“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka qenë serioze edhe transparente në propozimet, ofertat e veta. Për mua ‘pazar’ nënkupton praktikat që i kemi parë e që fatkeqësisht i takojnë së kaluarës, kur është diskutuar për terminale doganore, për pozita në ambasada, për favore individuale e për grupe të ngushta interesi, ndërkohë që Lëvizja bën propozime për marrëveshje politike në mënyrë proporcionale me mbështetjen që na kanë dhënë qytetarët, po përtej kësaj, për të zgjidhur këtë ngërç të ri në të cilin jemi pas më shumë se një vit bllokate për shkak të pozitës së kryetares së Kuvendit, ne kemi qenë madje edhe gjenerozë në propozimet që kemi bërë për LDK-në si partia e tretë me numër dukshëm më të vogël të deputetëve sesa Lëvizja Vetëvendosje, duke ofruar pozitën e dytë në qeverisje dhe katër ministri për t’u udhëhequr, ose edhe njërën nga tri pozitat më të rëndësishme shtetërore, pozitën e kryetarit të vendit”, tha Nagavci./EO/

By admin2