Ndryshimet politike në Serbi kanë ngritur pritje për një qasje tjetër ndaj Kosovës dhe rajonit. Megjithatë, deklaratat e kandidatit të mundshëm të Listës Studentore dhe qëndrimet e disa pretendentëve të tjerë për president nuk sinjalizojnë një ndryshim ndaj pavarësisë së Kosovës
Serbia pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale më 27 dhjetor. Radomir Saiçiq pritet të përfaqësojë Listën Studentore, ndërsa figura të tjera politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen ose po presin vendimet partiake.
Sipas mediave në Serbi e në rajon, profesori i Fakultetit të Kimisë në Beograd ka siguruar mbështetjen e deputetëve të listës. Saiçiq ishte ndër profesorët që u angazhuan hapur gjatë protestave dhe njëri prej 14 themeluesve të grupimit “Lista Studentore – Studentët fitojnë”. Në natën e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, ai shpalli fitoren nga selia e listës ndaj Aleksandar Vuçiqit.
Gjatë një paraqitjeje në mediumin publik serb (RTS), Saiçiq e quajti Kosovën “territor përkohësisht të pushtuar”, ndërsa kufirin ndërkombëtarisht të njohur ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e përshkroi si “fiktiv dhe gjeometrik”, shkruan Index.hr
Ai është shprehur për ruajtjen e marrëdhënieve me Moskën, duke pretenduar se Rusia mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë se pushteti në Beograd, shkruajnë mediat rajonale.
Qëndrime të tilla ndaj Kosovës kanë edhe kandidatët tjerë. Danas raporton se Branko Pavlloviq, Bogolub Kariq dhe Branimir Nestoroviq kanë konfirmuar se do të garojnë.
Pavlloviq kundërshton njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa mbështet anëtarësimin në BRICS.
Partia e Vuçiqit ende nuk ka vendosur se për pjesëmarrje në zgjedhje.
Në mesin e kandidaturave të tjera të mundshme janë përmendur edhe Ivica Daçiq, nga Partia Socialiste e Serbisë, dhe Aleksandar Vulin, themelues i Lëvizjes së Socialistëve. Të dy kanë qenë pjesë e pushtetit të deritashëm dhe kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Vulin e ka lidhur kandidaturën e mundshme me konceptin e “Botës Serbe”.
“Dua të besoj se çdo president i ardhshëm do të jetë president i ‘Botës Serbe’”, ka deklaruar ai, raportojnë mediat serbe
Pikëpyetje për ndryshimin e qasjes së pushtetit të ri në Serbi ndaj Kosovës ka ngritur edhe drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi.
Ai ka vlerësuar se programi i Listës Studentore ruan orientimet kryesore të politikës së jashtme të pushtetit të mëparshëm.
Sipas Fetoshit, lista vazhdon kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. Ai sheh gjithashtu pikëpyetje për marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe respektimin e detyrimeve të Beogradit.
Fetoshi thekson se programi mbështet neutralitetin ushtarak, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe partneritetin strategjik me Kinën. Bashkimi Evropian, sipas tij, trajtohet kryesisht si partner ekonomik dhe burim investimesh.
Për këtë arsye, ai argumenton se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës ndaj Kosovës dhe rajonit. /Telegrafi


