Në hyrje të Kumanovës nuk ka vend për shqipen! (FOTO)

Pas tabelave në hyrje të fshatit Çerkez, ku gjuha shqipe u injorua sikur të mos ekzistonte, tani i njëjti skenar po zbatohet edhe në hyrje të Kumanovës. Tabelat e reja të vendosura këto ditë janë në dy gjuhë: në maqedonisht dhe anglisht, por jo edhe në shqip, shkruan gazeta KOHA.

Por ironia nuk mbaron këtu. Nuk mjaftoi që tabelat e reja u vendosën vetëm në maqedonisht – në tabelat e vjetra shqipja është fshirë me vetëdije!

Pra, nuk bëhet fjalë për “harresë”, as për “gabim teknik”, duket se bëhet fjalë për veprim të qëllimshëm, thonë shqiptarët e Kumanovës, ndërsa kërkojnë përgjegjësi nga kryetari Maksim Dimitrievski dhe nga këshilltarët shqiptarë në Këshillin e Kumanovës.

“Në një shtet që pretendon se respekton barazinë dhe karakterin multietnik, fshirja e gjuhës shqipe nga tabelat është mesazh politik, jo komunikacion”, ankohen kumanovarët, të cilët i kanë nisur redaksisë KOHA foto me tabelën pa gjujën shqipe të vendosur dje në hyrje të Kumanovës.

Shqipja nuk është grafit për t’u fshirë, është gjuhë zyrtare dhe e drejtë kushtetuese, thonë kumanovarët, ndërsa kërkojnë përgjegjësi nga këshilltarët shqiptarë në Këshillin e Kumanovës. (koha.mk)

By admin7