Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhin krizën politike në Kosovë nëse liderët politikë nuk arrijnë konsensus për zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Në një intervistë për Syri TV, Spahiu tha se edhe nëse partia në pushtet fiton disa deputetë më shumë ose më pak, situata politike mund të mbetet pothuajse e njëjtë si pas zgjedhjeve të kaluara.
“10 deputetë më pak ose më shumë për Albin Kurtin nuk e ndryshojnë situatën. Prapë mund të kemi të njëjtin ngërç institucional si pas zgjedhjeve të fundit”, u shpreh ai.
Sipas Spahiut, Kushtetuta e Kosovës kërkon 80 vota për zgjedhjen e Presidentit, gjë që e bën të domosdoshëm bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës.
Ai vlerësoi se mungesa e konsensusit mund ta çojë vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, një skenar që, sipas tij, do të ishte humbje kohe dhe dëm për interesat shtetërore të Kosovës.
Spahiu theksoi se zgjidhja e vetme pa kompromis politik do të ishte një rezultat ekstrem zgjedhor, ku partia fituese do të siguronte mbi 70 deputetë ose, në anën tjetër, do të binte nën 40 deputetë.
Ai shtoi se përgjegjësia kryesore për arritjen e një marrëveshjeje politike i takon partisë më të madhe dhe liderit të saj, Albin Kurti.
“Sikur të kishte pasur më shumë bujari politike pas zgjedhjeve të kaluara, Kosova nuk do të ishte në këtë situatë”, vlerësoi Spahiu.
Sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ndikojë në sjelljen e liderëve politikë, por pa një marrëveshje për çështjet kyçe shtetërore, rreziku i një bllokade të re institucionale mbetet i lartë.

