Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidat për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, ndërsa numërimi i votave ende nuk ka përfunduar dhe priten rezultatet përfundimtare nga të gjitha kutitë e votimit në vend.
Kurti vlerësoi angazhimin e qytetarëve gjatë fushatës dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duke theksuar se gjatë dhjetë ditëve të fushatës janë zhvilluar mijëra aktivitete, tubime dhe takime në të gjitha anët e vendit.
Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që, sipas tij, e kanë pritur me mbështetje ekipin e tij politik dhe kanë ndarë shqetësimet, përvojat dhe pritjet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
“Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. “Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt”.

