Një këmbimore nga Vinica realizoi gati 10 milionë euro qarkullim?!

Biznesi i këmbimit valutor në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës të tregut financiar, ndërsa një këmbimore nga Vinica ka dominuar bindshëm tregun gjatë vitit të kaluar.

Sipas analizës së “Pari”, të bazuar në të dhënat e Biznis Mreža, 195 këmbimore realizuan të ardhura totale prej 18,7 milionë eurosh dhe fitim prej 1,2 milionë eurosh. Megjithëse të ardhurat u rritën me 12,8 për qind krahasuar me një vit më parë, fitimi i përgjithshëm shënoi një rënie prej 3,46 për qind.

Lider absolut i sektorit është këmbimorja “Pepi” nga Vinica, e cila e vetme realizoi afro 9,9 milionë euro të ardhura, më shumë se gjysmën e qarkullimit të përgjithshëm të të gjithë sektorit. Pas saj renditen këmbimoret tetovare “Trejo” me 1,5 milion euro dhe “Gaeks” me 1,1 milion euro të ardhura.

Analiza vlerëson se suksesi i jashtëzakonshëm i këmbimores nga Vinica mund të lidhet me fluksin e madh të valutës së huaj që vjen nga mërgimtarët në vendet e Evropës Perëndimore, veçanërisht në Itali dhe Zvicër.

Megjithatë, të ardhurat e larta nuk garantojnë domosdoshmërisht fitime të mëdha. Edhe pse kryeson bindshëm për qarkullim, “Pepi” raportoi fitim prej vetëm rreth 1.900 eurosh.

Ndërkohë, këmbimorja më fitimprurëse në vend rezultoi “Forex-Plus”, me fitim prej 318,3 mijë eurosh, duke siguruar më shumë se një të katërtën e fitimit total të sektorit. Pas saj renditen “Aprido” me 141,1 mijë euro dhe “Gligorovi-BMS” nga Strumica me 77 mijë euro.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së shërbimeve financiare digjitale, këmbimoret vazhdojnë të luajnë rol kyç në qarkullimin e valutës së huaj, ndërsa disa kompani mbeten faktorët kryesorë që diktojnë ritmin e këtij tregu. /Faktiditor.info/

By admin