Shqiptarët, me praninë e tyre në disa shtete të Ballkanit, janë ndër popujt me ndikimin më të madh në rajon.
Nuk është rastësi që SHBA-ja dhe BE-ja e shohin Shqipërinë si një nga partnerët më të besueshëm në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, nuk është rastësi që Kosova po njihet çdo ditë e më shumë si një shtet që po forcohet dhe po tërheq vëmendjen e NATO-s dhe BE-së.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një faktor kyç në zhvillimin dhe stabilitetin e këtij vendi. Megjithatë, progresi shpesh është penguar nga forca pro-serbe dhe pro-ruse, të ndikuara nga projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Ajo që duhet të bëjnë shqiptarët është:
– Shqipëria të anëtarësohet në BE;
– Kosova të konsolidojë institucionet e saj dhe të anëtarësohet në NATO;
– Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të bashkohen rreth interesave të përbashkëta dhe të përshpejtojnë ndryshimet kushtetuese që ruajnë orientimin euro-atlantik të vendit.
– Shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të jenë një element i rëndësishëm i identitetit dhe pranisë shqiptare në rajon.Fuqizimi i pozitës së tyre është në interes të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
– Shqiptarët në Mal të Zi kanë dëshmuar se bashkimi politik rreth interesave kombëtare mund të sjellë rezultate pozitive.
Patriotizëm është të duash kombin, të zhvillosh vendin, të respektosh rregullat e demokracisë dhe të pranosh që ndryshimet duhet të vijnë nga vullneti i popullit dhe të respektohen nga të gjithë.
Shqiptarët duhet të jenë ata që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar vlerat, kulturën dhe përgjegjësinë e tyre historike.
E kaluara historike dhe e ardhmja e përbashkët në këtë gadishull na obligojnë për një të ardhme më të sigurt, më të zhvilluar dhe më evropiane për të gjithë shqiptarët.

