Një inxhinier bërthamor i NASA-s u gjet i vdekur në Teslën e tij të djegur, pasi ishte zhdukur nga shtëpia e tij në Alabama vitin e kaluar.
Joshua LeBlanc, 29 vjeç, humbi jetën më 22 korrik 2025 në një aksident të rëndë automobilistik, ku makina e tij Tesla u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi në Huntsville, Alabama, ku automjeti u gjet i djegur thuajse plotësisht rreth orës 14:45, sipas Agjencisë së Zbatimit të Ligjit të Alabamës.
Sipas hetimeve, makina fillimisht u përplas me një kangjellë mbrojtëse, më pas me disa pemë dhe në fund shpërtheu në flakë.
Po atë ditë, në orën 04:32 të mëngjesit, familja e kishte raportuar LeBlanc të zhdukur. Ai nuk ishte paraqitur në punë si inxhinier elektrik në NASA, ku merrej me projekte të shtytjes bërthamore.

Trupi i tij ishte djegur rëndë dhe u identifikua vetëm tre ditë më vonë nga Departamenti i Shkencave Mjeko-Ligjore të Alabamës.
Familjarët kishin dyshuar fillimisht për rrëmbim, pasi ai kishte lënë telefonin dhe portofolin në shtëpi dhe nuk kishte dhënë asnjë shenjë komunikimi.
Autoritetet arritën të rindërtonin lëvizjet e tij përmes të dhënave nga sistemi “Sentry Mode” i Teslës, duke zbuluar se makina kishte qëndruar për rreth katër orë në aeroportin e Huntsville-it mëngjesin e asaj dite. Sipas familjes, kjo lëvizje nuk ishte pjesë e planeve të tij.
Sipas profilit të tij në LinkedIn, LeBlanc kishte punuar në NASA për më shumë se pesë vjet dhe ishte drejtues ekipi për instrumentimin dhe kontrollin në programin e Propulsionit Bërthamor Hapësinor (SNP). Kjo teknologji synon të mundësojë transport më të shpejtë dhe më efikas për misionet me ekuipazh dhe ngarkesa drejt Marsit, si dhe për misione shkencore në sistemin e jashtëm diellor.

Më vonë, ai kishte marrë rol drejtues edhe në projektin DRACO, që lidhet me zhvillimin e motorëve bërthamorë për hapësirën.
Rasti i tij nuk është i vetmi. Që nga viti 2022, të paktën 12 persona — kryesisht të lidhur me shkencën bërthamore dhe kërkimin hapësinor — janë raportuar të vdekur ose të zhdukur, disa në rrethana të dyshimta.
Mes tyre janë Monica Reza (60 vjeç), Melissa Casias (53), Anthony Chavez (79), Steven Garcia (48) dhe gjeneralmajori në pension i Forcave Ajrore, William Neil McCasland (68), të cilët janë raportuar të zhdukur midis viteve 2023 dhe 2026.
Ndërkohë, Michael David Hicks (59), Frank Maiwald (61), Nuno Loureiro (47), Jason Thomas (45), Amy Eskridge (34) dhe Carl Grillmair (47) kanë ndërruar jetë gjatë së njëjtës periudhë. Disa prej tyre kishin lidhje me Laboratorin e Propulsionit Reaktiv të NASA-s.

Megjithëse nuk ka prova që këto raste janë të lidhura mes tyre, ato kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve në nivelet më të larta. presidenti Donald Trump deklaroi së fundmi se shpreson që të jetë një rastësi, por se hetimet do të japin përgjigje brenda një kohe të shkurtër.

Ndërkohë, FBI ka konfirmuar se po bashkëpunon me institucione të tjera federale për të hetuar rastet e shkencëtarëve të zhdukur dhe të vdekur, në përpjekje për të zbuluar nëse ekziston ndonjë lidhje mes tyre.
Agjencia e Zbatimit të Ligjit në Alabama, e cila hetoi vdekjen e LeBlanc, ka ripublikuar detajet e aksidentit duke theksuar se hetimet vazhdojnë./NEW YORK POST – Syri.net

