Njeriu që dikur këshillonte Trump-in, tani rrezikon 5 vite pas hekurave

John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump dhe sot një nga kritikët e tij më të zëshëm, ka pranuar të deklarohet fajtor për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në një ditar personal, raportoi dje, 4 qershor, media amerikane MS NOW.

Sipas marrëveshjes me prokurorët federalë, Bolton përballet me një dënim deri në 5 vjet burg dhe me një gjobë që mund të arrijë në 2.25 milionë dollarë për akuzën e vetme penale që ka pranuar.

Burime të afërta me çështjen thanë se personat e vetëm që kishin pasur qasje në informacionet sekrete ishin bashkëshortja dhe vajza e tij.

Bolton është një nga tre kundërshtarët e njohur të Trump-it që janë përballur me akuza federale gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan. Dy të tjerët janë ish-drejtori i FBI-së, James Comey, dhe Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James. Të dy kanë deklaruar se u vunë në shënjestër për shkak të përplasjeve të tyre me Trumpin.

Në tetor, një juri federale në Maryland ngriti ndaj Boltonit 18 akuza, mes tyre për shpërndarje dhe mbajtje të informacionit që lidhej me mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Hetimet përfshinë edhe kontrolle në banesën e tij në Bethesda dhe në zyrën e tij në Washington.

Bolton, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare nga prilli 2018 deri në shtator 2019, pritet të paraqitet më 26 qershor në gjykatën federale në Greenbelt të Maryland, ku do të formalizojë pranimin e fajësisë.

Kur u ngritën akuzat, ai i mohoi ato dhe deklaroi se po ndiqej penalisht për shkak të kundërshtimit të tij publik ndaj Trumpit.

Sipas akt-akuzës, nga viti 2018 deri në gusht 2025, Bolton kishte ndarë me dy familjarë të tij më shumë se 1 mijë faqe me shënime nga aktiviteti i përditshëm si këshilltar për sigurinë kombëtare. Dokumentet përmbanin informacione të klasifikuara të nivelit më të lartë të fshehtësisë shtetërore.

Autoritetet theksojnë se as bashkëshortja dhe as vajza e tij nuk kishin leje sigurie për të pasur qasje në këto materiale.

Ndërkohë, edhe ish-drejtori i FBI-së James Comey është përballur me akuza federale për deklarime të rreme dhe pengim të hetimeve në lidhje me dëshminë e tij para Senatit amerikan. Nga ana tjetër, Letitia James u akuzua për mashtrim bankar dhe deklarime të rreme lidhur me një kredi të marrë për blerjen e një shtëpie në Virginia.

Më 24 nëntor, një gjykatës rrëzoi të dyja çështjet kundër Comey dhe James, duke argumentuar se prokurori i përkohshëm që kishte mbikëqyrur ndjekjen penale ishte emëruar në mënyrë të parregullt.

Megjithatë, Comey u padit sërish më 28 prill në Karolinën e Veriut. Këtë herë ai akuzohet se kishte kërcënuar Trump-in përmes një fotografie të publikuar në Instagram, ku guaskat e detit formonin numrin “8647”.

Ndërsa numri “47” lidhet me faktin që Trump është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, mbështetësit e tij e interpretuan numrin “86” si një thirrje për largimin ose eliminimin e tij. Avokatët e Comey kanë njoftuar se do të kërkojnë rrëzimin e kësaj padie përmes disa mocioneve gjyqësore.

By admin5