Njësia Speciale në Skenderaj pas incidentit mes Lushtakut e Mehanit, reagon Hamza: Skenarë të rrezikshëm përçarës, ndalu Albin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme, që pasuan pasi kryetari i komunës S]kënderajt, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani janë përfshirë në një rrahje.

Pas këtij incidenti, mbrëmë në Skënderaj pati prani të Njësisë Speciale.

Reklame

Hamza i ka cilësuar si “skena aspak të mira” veprimet e Policisë së Kosovës me njësi speciale.

Ai tha se njësitë speciale janë dërguar “me urdhër të Qeverisë” dhe se prapa tyre ka pasur “prapavija presioni dhe demonstrimi force”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të ndalë, siç u shpreh, “propagandën, urrejtjen, provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë”.

“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, “braktisja nga votuesit nuk mund të parandalohet me skenarë të rrezikshëm përçarës”.

Në fund të reagimit, Kryetari Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen te zgjedhjet e 7 qershorit.

“Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, përfundoi ai.

Postimi i plotë:

Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.

E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.

Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.

Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.

By admin2