Nuk tërhiqet Ligji për përfaqësim të drejtë, shumica nuk e pranoi propozimin e opozitës

Opozita shqiptare kërkoi që të tërhiqet nga rendi i ditës në Parlament propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por kjo nuk ndodhi, pasi nuk mori votat e nevojshme. Kërkesën e bënë deputetët Ilire Dauti dhe Ilir Hasani. Dauti kërkoi që propozimi të hiqet nga rendi i ditës deri sa të vijnë në një ujdi të përbashkët, që propozim-ligji t’i ketë të gjitha elementët që do ta bënin ligj që vërtete do të mundësonin përfaqësim të drejtë dhe adekuat në vendet e punës.

Ndërkohë, deputeti Hasani tha se në këtë formë që është, ligji nuk kalon, pasi sipas tij, është antikushtetues, e dëmton shtyllën kryesore të shtetit që është Marrëveshja e Ohrit, ligji nuk ka kuota, as mekanizëm kontrollues, as sanksione e as mekanizëm funksion për përcaktimin e etnisë.

“Pa mos u sqaruar të gjitha dilemat të cilat janë në raport me këtë ligj, po ju sigurojmë që ky ligj nuk është i gatshëm për t’u votuar, prandaj propozoj që i njëjti të largohet. Ju i jeni drejtuar edhe Komisionit Venedikut dhe pikërisht i njëjti ju ka thënë që nuk jemi kompetentë për t’u përgjigjur për pyetjet e parë dhe të tretë të cilat s’kemi mundësi tash t’i elaborojmë. Pra as ata s’ju kanë thënë përgjigje të prerë se ky duhet të jetë ligji që ju e propozoni”, pohoi deputetja Dauti nga LSH.

“O do ta zgjidhim si duhet përfaqësimin e drejtë, o sdo e bëjmë fare! Me forcë, kundër interesave të shqiptarëve, që na kanë nderuar në çdo situata të vështirë, ne nuk shkojmë! Ju mund të shkoni por ne kurrë nuk shkojmë! Edhe me lujt me ndjenjat e shqiptarëve, me mendjen e Qokut, ne nuk do ta lejojmë asnjëherë”, tha Hasani, deputet i BDI-së.

“Propozimin e deputetes Ilire Dauti që të largohet pika e 8-të nga rendi i ditës, e vë në votim. Ju ftojmë të votojmë. Konstatoj se propozimi i deputetes nuk është pranuar…”, tha kryeparlamentari Afrim Gashi.

By admin7