Nushi: Kurti po e zvarrit procesin, opozita po i përshtatet

Nol Nushi, ka kritikuar partitë opozitare, duke thënë se ato nuk kanë ndryshuar qasje politike as pas zgjedhjeve dhe se vazhdojnë ta kushtëzojnë veprimin e tyre nga qëndrimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas Nushit, mungesa e një opozite të bashkuar dhe të vendosur po i krijon Kurtit hapësirë për ta zvarritur procesin e formimit të institucioneve dhe për të negociuar nga një pozitë më e favorshme.

Ai tha se partitë opozitare duhet t’i bazojnë vendimet e tyre në parime politike, e jo në pritjen nëse do të ftohen ose jo të bëhen pjesë e qeverisë, duke shtuar se kjo qasje e dobëson rolin e opozitës në Kuvend.

“Nuk po shoh ndonjë dallim nga hera e kaluar. Ne në zgjedhje shkuam sepse LDK-ja donte ta bënte Vjosa Osmanin presidente. Ajo që kemi thënë ne si PSD, fatkeqësisht, po del e vërtetë: rezultati nuk ka ndryshuar. Dy ose tre deputetë më pak apo më shumë nuk po e ndryshojnë zhvillimin politik, sepse në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës sot po mungon një opozitë që përnjëmend e kundërshton një qeverisje autoritare si ajo e Kurtit. Ju e patë zotin Hamza. Duke hyrë në takim tha: ‘Dua të hyj në qeveri’, ndërsa kur doli nga takimi tha: ‘Ne jemi opozitë’. Pozicioni i tyre është i qartë: i merr Kurti apo nuk i merr Kurti. Qejfi i tyre është t’i marrë Kurti, ndërsa cili është qejfi i Kurtit, mbetet të shihet”.

“Mirëpo, nëse partitë opozitare i përcaktojnë lëvizjet e tyre politike mbi dëshirat e Kurtit, atëherë ato nuk janë më parti opozitare. Janë thjesht një grumbull deputetësh në Kuvendin e Kosovës, të cilët rastësisht qëndrojnë në opozitë, sepse Kurti nuk i ka marrë në qeverisje. Duke i parë këto pozicione, nuk dyshoj se Kurti do ta zvarrisë procesin në maksimum për t’ua testuar durimin, sepse ata durimin e kanë të ulët, e rrjedhimisht do ta kenë edhe pazarin më të ulët”, tha Nushi për Expose, prodhim i GazetaBlic.

By admin4