Një moment që ka tërhequr vëmendje të madhe në ceremoninë e diplomimit të “British Gymnasium of Technology” në Prishtinë ishte parakalimi simbolik i gjashtë nxënësve të klasave të 11-ta, të cilët zgjodhën të veshin uniformat ceremoniale të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Parakalimi u realizua në kuadër të festës së diplomimit dhe u prit me duartrokitje e emocione nga të pranishmit. Nxënësit marshuan në mënyrë ceremoniale, duke sjellë një atmosferë patriotike dhe duke nderuar sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.
Ky organizim u mbështet nga drejtori dhe themeluesi i gjimnazit, Musafer Shala, i cili vlerësoi simbolikën dhe mesazhin që përcolli ky parakalim.
Ndërkohë, ceremonia u komandua nga ish-eprori i UÇK-së, Ferid Berisha, i njohur si komandant “Shkupi”, i cili njëherësh është edhe ideatori i krijimit të uniformave ceremoniale të veteranëve të UÇK-së.
Pamjet nga ceremonia kanë nisur të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar këtë veprim si një akt krenarie dhe respekti ndaj historisë së Kosovës.

