Në pikën kufitare Tabanoc, në dalje nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë, janë vendosur tetë pika të veçanta për kontrollin dhe pagesën e gjobave të automjeteve me targa të huaja, të regjistruara nga sistemi “Qyteti i Sigurt” (Safe City).
Masa ka ardhur pas kaosit të krijuar në kufi, ku kontrollet e reja për automjetet me targa të huaja shkaktuan radhë të gjata dhe pritje të konsiderueshme. Sipas raportimeve nga terreni, procedura e kontrollit dhe pagesës së gjobës në kufi mund të zgjasë deri në 15 minuta për një drejtues.
Kur sistemi evidenton një kundërvajtje të papaguar, automjeti ndalohet në dalje dhe drejtuesi duhet ta shlyejë detyrimin para se të vazhdojë udhëtimin jashtë vendit.
Për të shmangur pritjet në kufi, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar edhe një aplikacion online për shtetasit e huaj, përmes të cilit ata mund të kontrollojnë nëse automjeti i tyre është evidentuar për ndonjë kundërvajtje nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të shohin urdhërpagesën dhe ta kryejnë pagesën në mënyrë elektronike.
Gjatë regjistrimit në aplikacion, drejtuesi duhet të skanojë ose fotografojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit me të cilin qarkullon në vend.
Kjo mundëson që drejtuesit e huaj të informohen paraprakisht për kundërvajtjet e regjistruara dhe t’i shlyejnë detyrimet pa pasur nevojë të ndalohen dhe të presin në pikën kufitare.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” përdor kamera për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik, ndërsa për automjetet me targa të huaja mekanizmi i kontrollit në dalje të vendit tashmë është aktiv.
Për shkak të zbatimit të mekanizmit të ri, autoritetet kanë shtuar kapacitetet në Tabanoc me qëllim që pagesa dhe kontrolli i gjobave të kryhen më shpejt dhe të shmanget përsëritja e kolonave të gjata të krijuara ditët e fundit.



