Ish-presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli, ka reaguar me një deklaratë të gjatë dhe të ashpër ndaj gazetarit Berat Buzhala, pas kronikës së këtij të fundit për Aeroportin e Vlorës.
Në reagimin e tij, Pacolli e akuzon Buzhalën për shpifje, tendenciozitet dhe përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e tij dhe punën që, sipas tij, është ndërtuar ndër vite.
Ai pretendon se sulmet ndaj tij nuk kanë të bëjnë me çështjen e Aeroportit të Vlorës, por me motive personale, duke aluduar se gazetarit i janë ndërprerë pagesa mujore që, sipas Pacollit, i ishin bërë për vite me radhë nga një ish-drejtor i Mabetex Holding.
Në deklaratë, Pacolli përmend edhe një episod privat, duke thënë se në të kaluarën kishte ndihmuar Buzhalën dhe familjen e tij për trajtim mjekësor në Zvicër, duke shtuar se këtë nuk e kishte bërë kurrë publik më parë.
“Mund të vazhdosh të shpifësh, por njerëzit tashmë e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes”, shkruan Pacolli.
Në fund të reagimit, ai paralajmëron se do të publikojë edhe informacione të tjera lidhur me, siç i quan ai, “prapaskenat” e gazetarit.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Berat Buzhala nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së Bexhet Pacollit.
Postimi i plote:



