Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Selimi, i cili më parë ka qenë i dënuar edhe për pjesëmarrje në ISIS, u dënua me 6 vjet burgim për spiunazh, i cili dënim ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I njëjti obligohet të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Selimit iu vazhdua masa e paraburgimit. Ai nuk ishte i pranishëm në shpallje.
Në shpallje mori pjesë prokurori Bekim Kodraliu dhe avokati i Selimit, Ali Beka.
Në seancën fillestare më 23 shtator 2025, Selimi ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të ngritur më 9 shtator 2025, Hysri Selimi ngarkohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), në vazhdimësi ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.
Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

