Pajisje për zbulimin e kamerave dhe mikrofonave të fshehtë, dy persona arrestohen në Mal të Zi

Anëtarë të policisë së Malit të Zi arrestuan shtetasit e Rusisë dhe Izraelit, Aleksandar Mihajlloviç Krugljanski (31) dhe Aleksandra Krugljanska (42), pasi në bagazhin e tyre u gjet pajisje e gjerë elektronike e destinuar për ndjekje dhe mbikëqyrje, përcjell Pa Censurë.

Të dyshuarit u arrestuan në aeroport ndërsa po përpiqeshin të hipnin në fluturimin për në Tel Aviv, duke mbajtur deri në 19 valixhe dhe çanta.

Gjatë kontrollit të detajuar të policisë kufitare, në më shumë se gjysmën e bagazhit u zbulua pajisje e sofistikuar, për të cilën autoritetet dyshojnë se përdoret për mbikëqyrje, spiunazh dhe zbulimin e pajisjeve të përgjimit.

Mes sendeve të sekuestruara janë: GPS tracker me mikrofon të integruar, detektor profesional i sinjaleve radio BugHunter Professional BH-04 (i destinuar për gjetjen e mikrofonave dhe kamerave të fshehura pa tela), kamera për mbikëqyrje dhe pajisje shoqëruese për video-mbikëqyrje, komponentë kompjuterikë, pajisje memorie dhe kabllo.

Përveç pajisjeve të lartpërmendura IT, policia u sekueshtroi të dyshuarve edhe ilaçe të padeklaruara, si dhe para në vlerë 26.210 euro (51.262 KM) dhe 1.150 shekel izraelitë (648 KM).

Sipas “Vijesti.me”, të dyshuarit kishin qëndruar në Mal të Zi me bazë vizë turistike dhe në periudhën e kaluar kishin hyrë disa herë në vend, transmeton Pa Censurë.

Me urdhër të prokurorit shtetëror në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Kotor, kundër tyre është paraqitur kallëzim penal për dyshim për vepra penale të kontrabandës dhe pastrimit të parave.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njoftoi se në kuadër të kësaj hetimi po ndërmerren aktivitete intensive në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB) dhe partnerët ndërkombëtarë të inteligjencës, me qëllim që të sqarohen plotësisht motivet dhe sfondi i veprimeve të çifteve të arrestuar.