Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit në Ferizaj, i cili mëngjesin e djeshëm ka sulmuar dy persona me thikë e më pas gjatë arrestimit edhe një polic.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit” zyrtar, si dhe veprën “penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për 30 ditë paraburgim.
Gjykata dha edhe detaje të reja, duke publikuar arsyetimin e gjyqtarit për rastin.
I. Ekziston dyshimi i bazuar me datë 10.07.2026 rreth orës 07:50 në Ferizaj përkatësisht Parkun e Qytetit, i cili gjendet afër Postës Kryesore, i mituri me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarit I.M. dhe S.H.,, në atë mënyrë që ishte veshur me rroba ushtarake dhe dorëza i maskuar befas ka sulmuar të dëmtuarit me thikë duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në organe vitale në fytyrë të dëmtuarve dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Ferizaj për të ju ofruar ndihmën mjekësore,-
II. me datë 10.07.2026, rreth orës 08:10, në fshatin G., Komuna Ferizaj, në lagjen “S.”, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së B.B., ku jetonte gjyshja e të miturit, i mituri pasi paraprakisht u kishte shkaktuar lëndime trupore me thikë të dëmtuarve I.M. dhe S.H., në Ferizaj, kishte ikur tek gjyshja e tij ku ndodhej edhe nëna e tij e pandehura D.Gj., posa zyrtarët policorë – të dëmtuarit, A.U. dhe B.R., hynë në oborr dhe kërkojnë nga i mituri që të dorëzohet dhe ta largonte thikën nga dora, i mituri ka rezistuar dhe ka sulmuar zyrtarët policor B.R., të cilin e ka tërhequr e pandehura D.Gj. dhe i njëjti është rrëzuar ku i mituri ishte hedhur sipër me thikë të dëmtuarit B.R., ku ndërhynë i dëmtuarit A.U., e kishte larguar të miturin i cili e ka përdorur thikën në mënyrë të pakontrolluar duke i shkaktuar lëndim trupor në anën e majtë të qafës dhe thikë të dëmtuarit – major A.U., lëndim këto të përshkruara në raportin e Spitalit Rajonal në Ferizaj të datës 10.07.2026,
III. Me datë 10.07.2026, rreth orës 07:50, në Ferizaj përkatësisht në Parkun e Qytetit, i cili gjendet afër Postës kryesore në Ferizaj, ka poseduar, një thikë kuzhine, në mënyrë të pa autorizuar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm (ligji mbi armët Ligji Nr. 03/L-143, par. 1 pika 20, “armë e ftohtë” nënkupton cilido mjet që mund të përdoret për sulm apo për shkaktim të lëndimeve trupore, duke përdorë forcë fizike nga sulmuesi, në rastet kur ato mbahen në tubime publike, në objekte publike apo në vende të ngjashme), e cila është konfiskuar nga ana e policisë, –
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.



