Pas dënimit, KF Shkëndija ultimatum FFM-së me largim nga futbolli

Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) e cila ka dënuar 105 mijë euro skuadrën shqiptare nga Tetova, sponsori i klubit tetovar “Ecolog”, ka kërkuar që ky vendim skandaloz sipas tyre, të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht.

“KF Shkëndija ka qenë ndër klubet e pakta që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare. Kontributi ynë ndër vite ka pasur kosto, mund dhe sakrifica të mëdha. Për më tepër, Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane.

Reklame

Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit.

Presim që organet e FFM-së të reflektojnë me urgjencë, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi.” – thuhet në Komunikatën e klubit tetovar, që nën udhëheqjen e “Ecolog” është nga 31 korriku i vitit 2013-të.

Fillimisht, Shkëndija ka marrë dënim prej 15 mijë eurosh për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike në finale të Kupës kundër Sileksit.

10 mijë euro për thirrjet nacionaliste dhe sloganeve me përmbajtje fyese mbi baza kombëtare si dhe me 20 mijë euro për shkak të shfaqjes së një pankarte me përmbajte naziste.

Shkëndija gjithashtu është dënuar me 30 mijë euro dhe me përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27 për shkak të refuzimit për ti pranuar medaljet në ceromoninë zyrtare në finale dhe për shkak të sjelljes dhe mungesës së respektit ndaj personave zyrtare dhe ekipit kundërshtarë.

Dënimi tjetër prej 30 mijë eurove dhe katër ndeshje pa publik ka të bëjë me mosrespektimin e himnit të shtetit, përkatësisht fishkëllimave dhe sjelljes diskriminuese gjatë finales së Kupës së Maqedonisë./faktiditor

By admin1