Pas shpenzimit të 4 milionë eurove për transport falas, Kumanova merr kredi 1.6 milionë euro

Këshilli Komunal i Kumanovës ka miratuar nisjen e procedurës për marrjen e një kredie afatgjatë prej 100 milionë denarësh, ose rreth 1.6 milionë euro, për financimin e investimeve në ndërmarrjet publike “Pastërtia dhe Gjelbërimi” dhe “Ujësjellësi”.

Vendimi u mbështet nga shumica e këshilltarëve të ZNAM-it, koalicionit të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “VLEN”, duke u miratuar me 16 vota pro, pesë kundër dhe një abstenim.

Sipas Komunës, kredia do të përdoret për blerjen e kamionëve dhe pajisjeve të reja për grumbullimin e mbeturinave, si dhe për instalimin e sistemeve fotovoltaike në objektet e NP “Ujësjellësi”, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të ulur kostot operative.

Miratimi i huamarrjes vjen vetëm pak ditë pasi Komuna ndërpreu transportin publik falas, një projekt që kishte funksionuar për tre vjet e gjysmë dhe që, sipas të dhënave të publikuara, i kushtoi buxhetit komunal rreth 4 milionë euro.

Ky zhvillim shkaktoi reagime të forta nga opozita. Këshilltarët e LSDM-së akuzuan pushtetin lokal për menaxhim të papërgjegjshëm financiar, duke theksuar se komuna, e cila dikur krenohej se ishte pa borxhe dhe me transport publik falas, tashmë po detyrohet të marrë kredi.

Opozita ngriti gjithashtu pikëpyetje për mënyrën e shpenzimit të rreth 5 milionë eurove të siguruara nga shitja e tokës për kompaninë LIDL në Zonën Industriale të Reçicës, duke kërkuar sqarime nga kryetari i komunës për investimet e premtuara infrastrukturore.

Një pjesë e këshilltarëve kritikuan mungesën e analizave financiare dhe debatit publik para miratimit të procedurës për huamarrje, ndërsa propozuan që blerja e automjeteve të realizohej përmes leasing-ut dhe jo me kredi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shumicës argumentuan se bëhet fjalë vetëm për vendimin fillestar që hap procedurën e huamarrjes dhe se të gjitha procedurat ligjore do të respektohen në fazat e mëvonshme.

Pavarësisht kësaj, opozita paralajmëroi se do ta kontestojë vendimin në Gjykatën Administrative nëse ai nënshkruhet nga kryetari i komunës.

Në të njëjtën seancë, Këshilli miratoi edhe rritjen me 30 për qind të çmimit të shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, me arsyetimin se masa është e nevojshme për stabilizimin financiar të NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi”, e cila, së bashku me NP “Ujësjellësi”, përballet me borxhe të konsiderueshme.

By admin4