Pas shtesës prej 150 eurosh për mjekët, reagon Oda e Infermierëve: Të mos anashkalohet stafi tjetër shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar edhe këtë vit vendimin për vazhdimin e shtesës mujore prej 150 eurosh për mjekët që punojnë ekskluzivisht në sektorin publik shëndetësor.

Pas këtij vendimi ka reaguar Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK), e cila e ka mirëpritur vazhdimin e mbështetjes financiare për mjekët, por ka kërkuar që institucionet të marrin në konsideratë edhe profesionistët e tjerë të sistemit shëndetësor.

Në reagimin e saj, OIK-ut thekson se çdo masë që synon përmirësimin e pozitës së profesionistëve shëndetësorë është e mirëseardhur, por rikujton se edhe më herët ka kërkuar që në vendimmarrjen institucionale të shqyrtohet përfshirja e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në skemat mbështetëse.

“Oda rikujton se ka kërkuar edhe më herët që në kuadër të vendimmarrjes institucionale të shqyrtohet përfshirja edhe e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë”, thuhet në reagim.

OIK-u thekson se, ndonëse nuk është organizatë sindikale dhe nuk negocion për të drejtat financiare të punonjësve, ka obligim ligjor dhe profesional të përfaqësojë interesat e anëtarëve të saj dhe të promovojë trajtim të barabartë për të gjitha profesionet shëndetësore.

Në fund, Oda shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe akterët relevantë për gjetjen e zgjidhjeve që mbështesin dhe motivojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë.

By admin4