Komuna e Gostivarit pas protestës në Debresh: Po ndërtohet linjë e re ujësjellësi, problemi do të zgjidhet brenda një muaji
Gostivar – Pas protestës së banorëve të Debreshit për mungesën e ujit të pijshëm, Komuna e Gostivarit ka dalë me një komunikatë zyrtare, duke shprehur keqardhje për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe duke theksuar se po ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemit, raporton Tetovasot.
Nga Komuna bëjnë të ditur se problemi me furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh është një çështje që vazhdon prej dekadash, por se gjatë këtij viti janë zhvilluar tre takime mes banorëve, përfaqësuesve të shoqatave lokale, kryetarit të komunës dhe ekspertëve të Ndërmarrjes Komunale, ku janë dakorduar masa konkrete për tejkalimin e gjendjes.
Sipas njoftimit, tashmë kanë nisur punimet për ndërtimin e një linje të re ujësjellësi, e cila pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të përmirësojë situatën për banorët e Debreshit, raporton Tetovasot.
“Ky investim pritet të përfundojë brenda një muaji dhe pas realizimit të tij do të sigurohet furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Njëkohësisht, autoritetet lokale kanë marrë vendim edhe për sanimin dhe përmirësimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, ndërhyrje që sipas tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve dhe në stabilizimin e sistemit të furnizimit me ujë.
Komuna e Gostivarit vlerëson se ka treguar përkushtim maksimal për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar dhe u bën thirrje banorëve për mirëkuptim dhe durim deri në përfundimin e punimeve.
“Komuna mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse të sigurojë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve”, thuhet në reagimin zyrtar, raporton Tetovasot.
Reagimi i plote:
Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada.
Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit.
Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh, i cili pritet të përfundojë për një muaj. Pas përfundimit të punimeve, pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm.
Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.
Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse, të sigurojë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve.

