Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nga holli i Kuvendit, deklaroi se me thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën në orën 11:00, po dhunohet Kushtetuta, demokracia dhe ligjet e vendit.
Në një prononcim për media, teksa kreu i PDK-së po shkonte për takim me Grupin Parlamentar të partisë, tha se Kuvendi duhet të konstituohet më së voni sonte.
“Situata është serioze, është duke u cenuar demokracia, kushtetuta, është duke u prodhuar një situatë që mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme për vendin. Duhet t’i respektojmë ligjet dhe Kushtetutën, dhe aktgjykimi i GJK-së është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, dhe data e fundit ka qenë sot”.
“Cila është logjika, përveç dhunimi i Kushtetutës, demokracisë dhe i ligjeve që seanca nuk vazhdon sonte por thirret për nesër? Kjo është krejtësisht e papërgjegjshme. Ne si PDK nuk do të jemi pjesë e lojërave të tilla të papërgjegjshme, jo serioze, me oferta aspak serioze, me biseda aspak serioze për t’i dhënë vendit institucione, dhe sigurisht se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme politike, demokratike në mbrojtje të demokracisë, të shtetit, por edhe të Kushtetutës”, tha kreu i PDK-së.
Ai tha se në mbledhjen që do të mbajnë me Grupin Parlamentar, do të diskutojnë për këto çështje dhe pas saj do të dalin me qëndrim.



