Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka deklaruar se koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për ta formuar vetë qeverinë e ardhshme, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si “fantastik”.
Pas publikimit të rezultateve preliminare, Peci tha se pritjet janë që votat nga diaspora ta përforcojnë edhe më tej rezultatin e koalicionit.
“44 për qind është në nivel vendi, tash të shohim edhe numrin e votave nga mërgata. Sipas të gjitha projeksioneve, koalicioni VV i ka votat e mjaftueshme për ta bërë vetë qeverinë e radhës”, u shpreh ai.
Peci theksoi se nuk pret që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, duke shtuar se skena politike duhet ta lexojë dhe ta respektojë mesazhin e dalë nga kutitë e votimit.
“Unë jam i bindur që vendi nuk do të shkojë në zgjedhje. Mendoj që në skenën politike duhet t’i rikthehemi racionalitetit dhe leximit të rezultatit zgjedhor. Prapë koalicioni VV dhe Albin Kurti e ka fituar besimin e qytetarëve për të qenë kryeministër i vendit”, deklaroi ai.
Sipas Pecit, fitorja e koalicionit për herë të tretë radhazi brenda një periudhe të shkurtër kohore dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve.
“Rezultati është fantastik. Tri herë radhazi për një vit e diçka ne kemi fituar, rezultati është shumë i bukur”, tha Peci.

