Përparim në dialogun SHBA-Iran, fokusi kalon te programi bërthamor

Bisedimet indirekte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të zhvilluara në Doha me ndërmjetësimin e Katarit, kanë shënuar “përparim pozitiv”. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Jashtme e Katarit. Zëdhënësi i ministrisë, Majed al-Ansari, deklaroi se negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë bërë hapa përpara në çështjet që lidhen me memorandumin e mirëkuptimit dhe kanë rënë dakord të vazhdojnë diskutimet, transmeton RTSH.

Sipas tij, raundi i ardhshëm i bisedimeve do të caktohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, pas përfundimit të ceremonive mortore për ish-udhëheqësin suprem të Iranit, të planifikuara nga 4 deri më 9 korrik.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se bisedimet po zhvillohen në një atmosferë pozitive, ndërsa ekipet teknike amerikane, iraniane dhe katariane do të përqendrohen tashmë në çështjen e programit bërthamor iranian.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi se Teherani do të japë një “përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme” nëse Izraeli ndërmerr ndonjë sulm, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të frenojnë aleatin e tyre.

By admin2