Tensionet politike në Maqedonia e Veriut janë rritur ndjeshëm pas përplasjes mes LSDM dhe VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe shfuqizimin e modelit të Qeverisë së Përzhinës.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se partia e tij do të tërhiqet nga grupi punues ndërpartiak nëse Qeveria nuk i tërheq amendamentet që synojnë heqjen e qeverisë teknike. Sipas tij, ky model është garancia e vetme për organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
“Shfuqizimi i kësaj qeverie është një hap drejt një mënyre qeverisjeje autokratike dhe nuk mund të pranohet,” deklaroi Filipçe, duke krahasuar situatën me periudhën e qeverisjes së Nikola Gruevski.
Nga ana tjetër, Qeveria reagoi ashpër përmes zëdhënëses Marija Miteva, e cila e cilësoi qëndrimin e LSDM-së si “veprim politikisht të papjekur”. Sipas saj, këto deklarata janë përpjekje për të fshehur rënien politike të opozitës.
“Këto kërcënime nuk mund ta ndryshojnë realitetin se LSDM po përballet me fundin e saj politik, ndërsa VMRO-DPMNE po ndërton të ardhmen e vendit,” deklaroi Miteva në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë me procedurë të shkurtuar, duke hapur rrugën për heqjen e modelit të qeverisë teknike.
Modeli i Qeverisë së Përzhinës buron nga Marrëveshja e Përzhinos, e cila parashikon formimin e një qeverie teknike 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse palët do të arrijnë kompromis apo vendi do të hyjë në një krizë të re politike.

