“Peshku në det – tigani n`zjarr” – Ende pa u kryer projekti i tunelit, komuna e Tetovës nis punimet për rrugën Tetovë – Prizren

“Edhe pse Qeveria ende kërkon kohë për të realizuar projektin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, Komunës së Tetovës si duket nuk i pritet. Rruga ka filluar që të hapet, konkretisht qarkorja e rrugës Tetovë-Prizren e cila do përfundoj në hyrje tek tuneli. Punimet vazhdojnë ë të kryhen këtu mbi Shipkovicë, por nuk dihet ende sa do jetë e gjerë kjo rrugë, sa do jetë e gjatë dhe cili është projekti që po realizohet”.

Por pas punimeve të kryera historia përfundon këtu. Derisa nuk ka një projekt të finalizuar mbi tunelin që duhet të lidh Tetovën me Prizrenin, rruga apo qarkorja do të mbetet e tillë. E njëjta kalon nëpër fshatrat Shipkovicë, Brodec, Veshallë e deri në Bozovcë. Projekti duhet të përfundin për 6 muaj ndërsa vlera e tij është 250 mijë euro. Në kontratën e lidhur me subjektin që kryen punimet nuk figuron askund se kjo rrugë të çon në Prizren, por Komuna e Tetovës e ka marrë përsipër për ta bërë pasi sipas tyre përfshinë fshatrat e Tetovës dhe duhet rregulluar nga komuna. Punimet kanë filluar pa dhënë komuna shpjegim dhe informacion konkret nëse janë kryer shpronësimet, ka pasur dikush ankesa apo është bërë një studim paraprak mbi qëndrueshmërinë e tokës dhe trasesë nga kalon qarkorja për tek tuneli që lidhe Tetovën me Prizrenin.

“Traseja e këtij projekti kalon nëpër komunën e Tetovës, dhe duke marrë parasysh faktin se një pjesë e rrugës kalon nëpër fshatin Shipkovicë, ne si komunë jemi të përfshirë në ndërtimin e qarkores, mbi Shipkovicë që do jetë pjesë e rrugës Tetovë-Prizren”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës

Punimet për ndërtimin e qarkores filluan pikërisht një ditë pasi Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski deklaroi se projekti për tunelin akoma nuk ka përfunduar, ndërsa edhe nëse vjen si propozim, Qeveria duhet të gjejë fondet për ta financuar projektin, duke lënë të kuptohet se për momentin tuneli mbetet ide që duhet të dalë në letër, ndërsa realizimi varet nga disponimi i arkës së shtetit dhe vullneti i Qeverisë. Qarkoja e rrugës Tetovë Prizren, do të lidhet nga rruga e Kodrës së Diellit, ndërsa do përfundojë para tunelit në fshatin Bozovcë. /Alsat.mk

By admin7