Peter Magyar bëri sot betimin si kryeministër i Hungarisë, duke shënuar fundin e qeverisjes 16-vjeçare të Viktor Orbanit, raporton Anadolu.
Magyar bëri betimin në parlament pasi partia e tij e qendrës së djathtë Tisza siguroi fitore bindëse në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke mposhtur aleancën nacionaliste-populiste Fidesz të Orbanit.
Partia Tisza fitoi shumicën prej dy të tretash në parlamentin me 199 vende, duke siguruar numër të mjaftueshëm deputetësh për të ndryshuar politikat kryesore të vendosura gjatë viteve të qeverisjes së Orbanit.
Magyar hyri në ndërtesën e parlamentit së bashku me deputetët e partisë së tij, të cilët tani kontrollojnë 141 vende. Aleanca Fidesz-KDNP e Orbanit pësoi rënie të madhe, duke mbetur me 52 vende, ndërsa lëvizja e ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë” siguroi gjashtë vende.
Presidenti Tamas Sulyok më herët i kërkoi Magyarit të formojë qeverinë e re pasi partia e tij Tisza arriti një fitore të paprecedentë në zgjedhjet e prillit, raportoi gazeta “Magyar Nemzet”.
Sulyok tha se votuesit hungarezë “kanë shprehur vullnetin e tyre” dhe i kanë besuar Tiszës përgjegjësinë për qeverisjen e vendit.
Të gjithë 199 deputetët dhe 11 përfaqësues të pakicave dorëzuan mandatet e tyre para se deputetët të bënin betimin gjatë seancës.
Magyar deklaroi se prioritetet kryesore të qeverisë së re do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe sigurimi i kthimit të fondeve të BE-së, të ngrira për shkak të shqetësimeve lidhur me sundimin e ligjit dhe korrupsionin.
“Detyra më e rëndësishme do të jetë ndalimi i korrupsionit dhe kthimi i fondeve të BE-së”, tha ai para seancës.
Qeveria e tij gjithashtu pritet të kërkojë afrimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas viteve të tensioneve gjatë udhëheqjes së Orbanit.
Deputetët po ashtu zgjodhën kryetaren e re të parlamentit gjatë seancës, ku kandidatja e Tiszas, Agnes Forsthoffer, mori këtë post.


