Pezullohet sistematizimi në MPB, Toshkovski shtyn për dy vite Ligjin për Policinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka konfirmuar se është pezulluar zbatimi i Ligjit të ri për Policinë dhe Ligjit për Punë të Brendshme, duke shtyrë hyrjen e tyre në fuqi për dy vite.

Në një paraqitje televizive në Alfa TV, Toshkovski deklaroi se vendimi është marrë pas kritikave dhe reagimeve nga opozita, konkretisht nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.

Reklame

“Ligji duhej të hyjë në fuqi nga 1 korriku, por që të mos dale se po bëjmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, në këtë periudhë prej dy vitesh do të ketë mjaftueshëm mundësi dhe kohë për debat, nëse përcaktime të caktuara ligjore janë të sakta ose të pasakta. Do ta prolongojmë ligjin 2 vite”, deklaroi Toshkovski.

Ligji për Policinë parashihte një sistematizim të ri në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përfshirë shkurtimin e pozitave të caktuara dhe vendosjen e një strukture të re subordinimi brenda policisë.

Pezullimi i zbatimit të ligjit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e reformimit të strukturës së MPB-së, i cili ishte paralajmëruar si një nga ndryshimet më të mëdha organizative në sektorin e sigurisë.

By admin7