Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes priten reshje të herëpashershme lokale shiu, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë natës drejt të martës.
Vende-vende, reshjet do të shoqërohen me stuhi afatshkurtra, shi të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe bubullima. Do të fryjë erë e fortë veriore, e cila përgjatë lumit Vardar do të arrijë shpejtësi deri në 40 kilometra në orë.
Temperaturat e mëngjesit do të variojnë nga 10 deri në 17 gradë, ndërsa temperaturat e ditës do të arrijnë nga 25 deri në 32 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i ngrohtë, me periudha me diell. Do të fryjë erë e dobët veriore, ndërsa pasdite në pjesë të Luginës së Shkupit priten reshje të herëpashershme shiu dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të bjerë në 18 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 28 gradë.



