Autoritetet hungareze kanë nisur hetim penal për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punë të pakujdesshme në Eximbankën shtetërore, njoftoi policia. Hetimi përfshin katër raste, ndër të cilat edhe kredinë prej një miliard eurosh të akorduar për Maqedoninë, pas kallëzimeve penale që Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës i dorëzoi në korrik, bazuar në një auditim të brendshëm në bankë, transmeton Portalb.mk.
Hetuesit nga Byroja Kombëtare për Hetime pranë policisë, më 31 gusht, sekuestruan mijëra faqe dokumentacion të brendshëm nga ministria, në kuadër të procedurës. Nga policia thanë se bëhet fjalë për materiale të siguruara gjatë auditimit të brendshëm, të cilat ofrojnë prova shtesë për veprat e kallëzuara. Eximbanka shtetërore, e cila deri në qershor të vitit 2022 ishte nën kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa më pas kaloi nën Ministrinë e Ekonomisë, deri tani nuk ka dhënë koment.
Kjo procedurë është një nga masat më të rëndësishme të qeverisë së re të kryeministrit Peter Magyar, i cili pas zgjedhjeve të prillit i dha fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit. Magyar ka premtuar përballje me atë që e quan korrupsion sistematik nën administratën e mëparshme, ndërsa Orban i ka hedhur poshtë këto akuza.
Në qendër të hetimit është kredia prej një miliard eurosh për Maqedoninë, e cila ka normë interesi prej 3,25 përqind dhe garanci të plotë shtetërore nga Qeveria e Maqedonisë. Magyar më herët ka deklaruar se përmes kësaj marrëveshjeje, fondet e destinuara për mbështetjen e kompanive hungareze janë ridrejtuar për të ndihmuar një aleat të huaj politik, kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe për përfitim të mundshëm të kompanive të afërta me qeverinë e mëparshme hungareze. Ai ka thënë se kushtet e kredisë janë më të favorshme se ato që u ofrohen kompanive vendase në Hungari ose me të cilat shteti hungarez merr borxh për projektet e veta kapitale.
Marrëveshja filloi të zbatohej në mesin e vitit 2024, pas takimeve në Samitin e NATO-s në Uashington më 11 korrik. Qeveria e Maqedonisë e miratoi propozim-ligjin më 3 shtator, Kuvendi e miratoi ligjin e posaçëm më 17 shtator, ndërsa ministritë e financave të të dyja vendeve e nënshkruan marrëveshjen më 8 tetor, pas së cilës u disbursua kësti i parë prej 500 milionë eurosh.
Përveç kredisë për Maqedoninë, policia po shqyrton edhe tri marrëveshje të mëdha të Eximbankës. Njëra përfshin rreth 59 miliardë forinta, ose afërsisht 161 milionë euro, për hotelin “Sofitel” dhe një kompani të lidhur me bizneset e Istvan Tiborcz, dhëndrit të Orbanit. Sipas të dhënave të Magyar, banka e kishte marrë vendimin për financim brenda vetëm dy ditësh, duke shkelur procedurat e brendshme.
Rasti i dytë është një garanci financiare prej 126 miliardë forintash (mes 344 dhe 398 milionë euro), të cilën Eximbanka dhe Banka Hungareze për Zhvillim e kanë siguruar për ndërtimin e një autostrade mes Zambisë dhe Republikës Demokratike të Kongos, projekt i lidhur me kompaninë e ndërtimit “Duna Aszfalt”.
Rasti i tretë përfshin një kredi prej 176 miliardë forintash, ose rreth 480 milionë euro, të lidhur me kompaninë për riparimin e automjeteve “Dunakeszi” dhe financimin për hekurudhat shtetërore të Egjiptit.
Qeveria në Budapest ka paralajmëruar edhe krijimin e një administrate të re për luftën kundër korrupsionit, si dhe hapat e parë për anëtarësimin në Prokurorinë Publike Evropiane.
Hetimi për Eximbankën është ende në fazën fillestare dhe deri tani nuk janë ngritur akuza konkrete ndaj personave të caktuar.



