Politico: Trump mund ta sulmojë vërtet Kubën për shkak të Iranit

Administrata e Donald Trump po shqyrton seriozisht mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve ushtarake ndaj Kubës, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Havanës janë përshkallëzuar ndjeshëm javët e fundit.

Sipas burimeve të cituara nga Politico, Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e prirur të marrë në konsideratë opsionin ushtarak, pasi presioni ekonomik dhe diplomatik ndaj regjimit komunist nuk ka sjellë rezultatet e pritura.

Reklame

Një zyrtar amerikan dhe një burim i afërt me diskutimet brenda administratës thanë se Trump dhe këshilltarët e tij janë të zhgënjyer nga mungesa e reformave ekonomike dhe politike në Kubë, pavarësisht masave të ashpra të vendosura nga SHBA-ja, përfshirë kufizimet ndaj furnizimit me karburant në ishull.

“Atmosfera ka ndryshuar padyshim”, tha burimi për Politico, duke folur në kushte anonimiteti. “Pra, tani veprimi ushtarak është në tryezë në një mënyrë që nuk ishte më parë.”

Sipas raportimeve, Komanda Amerikane ka nisur javët e fundit përgatitjen e planeve për skenarë të mundshëm ushtarakë ndaj Kubës. Opsionet variojnë nga sulme ajrore të kufizuara deri te një ndërhyrje tokësore më e gjerë për rrëzimin e regjimit.

Në qendër të diskutimeve është edhe ish-presidenti kuban Raul Castro, ndaj të cilit SHBA-ja po përgatit akuza të reja. Kjo ka shtuar spekulimet për një operacion të mundshëm amerikan kundër figurave të larta të regjimit kuban.

Ndërkohë, presidenti kuban Miguel Diaz-Canel reagoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo agresion ushtarak amerikan do të sillte “gjakderdhje me pasoja të pallogaritshme”.

Sipas raportit, administrata amerikane e konsideron gjithnjë e më shumë Kubën si një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë dhe Kinën. Në këtë linjë është pozicionuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili besohet se mbështet një qasje më agresive ndaj Havanës.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një ndërhyrje ushtarake ndaj Kubës mund të sjellë pasoja të paparashikueshme dhe të kthehet në një konflikt shumë më kompleks sesa pritet nga administrata Trump.

Ata që mendojnë se vështirësitë e Trumpit në Iran do ta pengojnë atë të kryejë një operacion ushtarak kundër Kubës mund të gabohen rëndë. Përkundrazi, kaosi në Iran mund ta bëjë presidentin të etur për të shënuar një tjetër fitore. Ai mund ta shohë Kubën si një fitore të lehtë.

Kjo mund të jetë një llogaritje e gabuar, kanë paralajmëruar ish-zyrtarë dhe analistë amerikanë. “Ka ‘besimtarë’ (ideologë) të vërtetë atje jashtë”, paralajmëroi një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që është marrë me Kubën.

Sigurisht, një sulm nuk do të ishte i thjeshtë. Nuk është kurrë. Por kjo rrallë e ndalon Trump, mbyllet shkrimi i Politico.

By admin5