Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, më 10 prill të këtij viti i ishte referuar kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, si “Sami Serbia” në një postim në Facebook.
Duke tentuar të ironizojë për kritikat që kishte marrë pushteti për raportet me SHBA’në, Mehani kishte shkruar: Poshtë Sami Serbia.
“Sami serbia po na prish me Ameriken duke i mshele strukturat paralele pa koordim me miqte tane amerikane. Rrnofte Amerika dhe miqte tane, poshte Sami serbia”, kishte shkruar ai, një postim që është ende publik në profilin e tij në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje tha sot se Mehani është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në një kafene të këtij qyteti.
Por, Lushtaku kishte mohuar se ai ka sulmuar duke thënë se kanë reaguar qytetarët pasi Mehani e kishte thirrur atë “Sami Serbia”.
Këtë e mohoi ish-deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, e cila tha se kishte qenë duke pirë kafe me Mehanin në momentin kur, sipas saj, Lushtaku ishte afruar dhe e kishte sulmuar./Express/


