Prap zjarr i ri në deponinë e Krastës në Kumanovë, alarm për “dështim sistemik”

Një zjarr i ri ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 në deponinë e Krastës në Kumanovë, duke rikthyer shqetësimet për ndotjen dhe menaxhimin e mbeturinave në këtë zonë.

Ekipet e Pastërtia dhe Gjelbërimi ndodhen ende në terren, duke punuar me makineri për të vënë situatën nën kontroll. Zjarri është vërejtur fillimisht nga shërbimi i rojës, pas së cilës ka reaguar organizata mjedisore Eco Pçinja, duke kërkuar ndërhyrje dhe përgjegjësi të menjëhershme nga institucionet.

Në reagimin e saj publik, organizata thekson se situata është e përsëritur dhe alarmante:
“Deponia pranë fshatit Pçinja po digjet përsëri. Tym përsëri. Helmim përsëri. Ky nuk është incident, ky është një dështim sistemik. E njëjta gjë për vite me radhë: deponi ilegale, tym toksik dhe heshtje nga autoritetet.”

Sipas tyre, zjarret e shpeshta paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin, ndërsa akuzojnë autoritetet për mungesë reagimi dhe përgjegjësie. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, zgjidhje afatgjatë dhe transparencë institucionale.

“Sa herë duhet të ndizet që dikush të reagojë? Sa më shumë helm duhet të thithim? Inspektorati i Mjedisit, ku je? Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin e njerëzve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Eco Pçinja.

Organizata ka publikuar edhe një video nga vendngjarja, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kërkojnë që rasti të mos kalojë pa përgjegjësi, siç pretendojnë se ka ndodhur në të kaluarën.

VIDEO:

By admin