Presidenti i Këshilli Europian, António Costa, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një videomesazh me rastin e Ditës së Europës, ku i ka quajtur ata “anëtarë të ardhshëm të BE-së”.
Në mesazhin e tij, Costa rikujtoi se shtetet themeluese të Bashkimi Europian zgjodhën bashkëpunimin dhe unitetin, duke lënë pas ndarjet dhe konfliktet.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Në Ditën e Europës, ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, kur anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi ndarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore”.
Ai theksoi se e ardhmja e Kosovës, ashtu si e vendeve të tjera të rajonit, është brenda BE-së dhe nënvizoi se po punohet intensivisht për realizimin e këtij synimi.
“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian. Po bëhet shumë punë e madhe që kjo të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit — Bashkimin Europian. Vazhdoni të punoni që kjo të realizohet. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Europa!”, tha Costa.


