“Presion politik mbi drejtësinë”: Ministri i VLEN-it me qëndrim skandaloz ndaj “Marshit për Liri”

Një ditë pasi mijëra qytetarë mbushën sheshet e Prishtinës në “Marshin për Liri”, ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka publikuar një reagim me gjuhë të rëndë, duke e lidhur atmosferën para vendimit të 16 shtatorit me “rrugën, politikën apo emocionet” dhe duke folur për “presion politik mbi drejtësinë”.

Reagimi i tij vjen vetëm një ditë pas marshit të 12 shtatorit në Prishtinë, të organizuar nga platforma “Liria Ka Emër” në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Organizatorët deklaruan se pjesëmarrja ishte rreth 100 mijë qytetarë, ndërsa raportimet e pavarura konfirmuan se mijëra njerëz mbushën sheshet dhe rrugët qendrore të kryeqytetit.

Shasivari, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kuadër i partnerit qeverisës VLEN, postimin e nis me titullin:

“MESAZH PËR KOSOVËN: DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE”

Më pas, ministri i VLEN-it përdor një formulim veçanërisht përçmues ndaj mënyrës se si qytetarët e Kosovës e shprehën publikisht qëndrimin e tyre, duke e vendosur “rrugën” në të njëjtën fjali me politikën dhe emocionet.

“Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.”

Ai e vendos situatën në kontekstin e një “presioni politik” mbi drejtësinë, ndonëse marshi i së shtunës u zhvillua pa incidente dhe u përshkrua nga Policia e Kosovës si një tubim paqësor.

“Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.”

Ai shkon më tej duke i drejtuar Kosovës edhe një mesazh lidhur me mënyrën se si duhet t’i trajtojë viktimat, duke pretenduar se vendi nuk mund të zgjedhë “cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë”.

“Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.”