Projekti 4.4 milionësh për banim social i bën bashkë Sami Lushtakun dhe Ministren e VV në Skënderaj

Një projekt me vlerë 4.4 milionë euro për banim social ka bërë bashkë kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e ndërtimit të Objektit Ç në kompleksin UÇK.

Lushtaku, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për financimin e programeve të banimit, përmes së cilës do të bashkëfinancohet ndërtimi i Objektit Ç në kuadër të kompleksit UÇK.

Sipas Lushtakut, vlera e projektit është 4.4 milionë euro, ndërsa financimi bëhet përmes kredisë së Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Marrëveshja është nënshkruar me ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.

Lushtaku ka bërë të ditur se projekti është pjesë e programit për Banimin Social Adekuat dhe se do t’u dedikohet me prioritet familjeve të dëshmorëve të Komunës së Skenderajt.

“Ky projekt është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt, si një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka paralajmëruar se synim mbetet edhe realizimi i Objektit K, me të cilin, sipas tij, do të kompletohej tërësisht kompleksi UÇK në Skenderaj.

By admin7