Pronari i diskotekës “Puls” del nga paraburgimi për më pak se një muaj

Dejan Jovanov – Deko, pronari i diskotekës “Puls” në Koçan, ku nga zjarri tragjik humbën jetën 63 persona, do të lirohet nga paraburgimi pas më pak se një muaji. Gjykata Penale në Shkup ka konfirmuar se masa e fundit e paraburgimit i është caktuar deri më 3 tetor 2026.

Sipas gjykatës, arsyeja është se, në përputhje me ligjin, paraburgimi mund të zgjasë maksimumi një vit nga momenti i vlerësimit të aktakuzës. Aktakuza ndaj Jovanovit është vlerësuar më 3 tetor 2025, prandaj më 3 tetor të këtij viti skadon afati maksimal i paraburgimit.

Pas përfundimit të paraburgimit, gjykata do të përcaktojë masa të tjera sigurie, me qëllim që Jovanovi të jetë i pranishëm gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor.
Jovanov u arrestua menjëherë pas zjarrit të 16 marsit, ndërsa paraburgimi iu caktua më 23 mars 2025. Gjykimi ndaj tij dhe 33 të akuzuarve të tjerë filloi në nëntor dhe ende vazhdon.

Në këtë rast është i akuzuar edhe vëllai i tij, Todor Jovanov, të cilit i është hequr masa e arrestit shtëpiak pasi ka dhënë garanci prej rreth 320 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme. Edhe djali i Dejan Jovanovit është i akuzuar, por ndaj tij janë caktuar vetëm masa sigurie.

Sipas gjykatës, paraburgimi ndaj pronarit të “Puls”-it ishte caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes. Prindërit e viktimave ndërkohë kanë reaguar më herët ndaj kërkesave të tij për lirimin nga paraburgimi, duke shprehur shqetësimin se rasti po minimizohet.