Psikiatri: I akuzuari për katër vrasje mund të jetë duke simuluar çrregullim mendor

Procesi gjyqësor ndaj 25-vjeçarit Trajçe Bojkovski, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje, ka vazhduar në Kumanovë, ndërsa sjellja e tij në seancën e parë tërhoqi vëmendje të madhe.

Neuropsikiatri Mice Duducki, duke komentuar sjelljen e të akuzuarit, i cili qeshte dhe shikonte në tavan, vlerësoi se një sjellje e tillë mund të lidhet me të ashtuquajturën sindroma e Ganserit.

“Bëhet fjalë për një person i cili në ambientet e gjykatës shfaq sjellje pseudodemenciale, që ne psikiatrit e quajmë sindroma e Ganserit, pra shtirje të çmendurisë, me qëllimin ‘nuk më kujtohet’”, deklaroi Duducki.

Gjatë procedurës, të akuzuarit i është caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, pasi avokati që e kishte përfaqësuar më parë hoqi dorë nga autorizimi. Shkak për këtë ishte fakti se i akuzuari, në kundërshtim me këshillën e avokatit, nuk pranoi fajësinë.

Duducki thekson se prania e mundshme e psikopatologjisë nuk do të thotë automatikisht se personi është i papërgjegjshëm penalisht.

“Unë jam përkrahës i dënimit me vdekje kur bëhet fjalë për vrasje të kryera me dashje, veçanërisht për motive përfitimi”, tha ai.

By admin7