Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking” kanë protestuar të hënën për shkak të mosrealizimit të pagave, duke paralajmëruar se do të ndërpresin punën nëse ato nuk ekzekutohen gjatë ditës së sotme.
Përfaqësuesit e sindikatës thanë se vonesat në paga janë bërë problem i vazhdueshëm, ndërsa i bënë thirrje Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë veprime konkrete për tejkalimin e krizës financiare në ndërmarrje.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari, tha se sipas kontratës paga duhet të ekzekutohet deri më 5 të muajit, por kjo nuk ka ndodhur dhe se nga kjo janë prekur rreth 200 punëtor.
“Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që ka pasur të jetë më e ekzekutuar nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri në datën 5 me prit. Pas datës 5 ende nuk është ekzekutuar. Arsyeja pse jena mbledh sot nuk janë të gjithë, se disa i kemi lënë nëpër pika për shkak që mos me e neglizhu krejt punën. Po sidoqoftë po presim që sot gjatë ditës me u ekzekutu. Qëllimet tona është që t’i bëj thirrje edhe kryetarit, zotëri Përparim Ramës që le të reflekton diçka ndaj ndërmarrjes tonë, e cila është në krizë. Nuk është hera e parë që kemi telashe për paga, po thuaj se çdo muaj tu e prit a po del, a nuk po del. Prej kryetarit të komunës nuk kemi marrë përgjigje hala. Jemi tu e prit, po thojnë një subvencion, po hala nuk ka diçka konkrete. Jemi tu e prit edhe rregulloren me u dal në publik, me ec përpara, po ende në pritje janë. Nëse sot gjatë ditës nuk ekzekutohen pagat ne si sindikatë veç kena me vazhdu me protestë, paralele. Nuk kanë me punu punëtorët deri në momentin që ekzekutohen pagat. Në momentin që ekzekutohen pagat na kena me vazhdu. Derisa të vjen kryeshef i ri, të rregullohet rregullorja, po presim financim, po presim bashkëpunim, po presim edhe prej komunës me na ndihmu, me marrë ndërmarrjen se jemi, thotë që jemi në krizë. Nuk ka te holla”, tha Hajdari.
Anëtari i Sindikatës, Safet Zuka, tha se punëtorët e kishin paralajmëruar më herët ndërmarrjen për protestë në rast se pagat nuk ekzekutoheshin në afatin e paraparë.
“Na kemi pas, kemi takime, kemi pas të rregullta me sindikata, me ndërmarrjen gjithë kohën. Edhe i kemi paralajmëru, ju kemi dhënë një lloj ultimatumi që në qoftë se ndalet rroga, nuk del në kohën e caktuar, na do të ndërmarrim këtë çfarë po bëjmë tash. Do të bëjmë protesta. Nuk ka kurrfarë arsyetimi. Nuk mundna me prit më. Kjo është që 3 vjet tu ndodh. Na jemi tu vazhdu të gjitha këto kërkesat tona, kërkesa që na takojnë se ne jemi tu e kry punën tonë çka lypet. Jemi 100% të gjithë në punë, punojmë, kurrë s’ndalmi. Këta çka bëjnë brenda, qysh veprojnë, ata e dinë. Le t’i rregullojnë këta pjesët e veta, na tonat. Le të ecin këta me gjitha fuqitë që i kanë, le të bisedojnë me kë kanë me bisedu. Ne nuk i ndërprejmë, këta nuk i ndalim kurrgjë. Ne punën tonë e kryejmë. Ju kemi tregu, bëhet i pesti, nuk ekzekutohen pagesat, ne e ndalim punën. Kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen. Në qoftë se ekzekutohet sot, sipas disa fjalëve që bëhen në pyetje, po flitet që sot do të ekzekutohet, prapë kthehemi në punë. Vjen i pesti tjetër, prapë do ta ndërpresim deri sa të gjendet një zgjidhje. Kjo nuk është zgjidhje kështu, kjo nuk është në rregull”, tha Zuka.



