Punëtori bie nga kulmi i një objekti në Ferizaj, dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur më 20 maj 2026 në fshatin Babush të Ferizajt, ku një punëtor ka rënë nga kulmi i një objekti dhe ka pësuar lëndime serioze trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se Policia është njoftuar se në afërsi të kompanisë “Bali-Com”, përgjatë magjistrales, një person kishte rënë nga pullazi gjatë punës.

Reklame

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar lokacionin, mirëpo i lënduari nuk është hasur aty, pasi ishte transportuar me urgjencë fillimisht në Emergjencën e Ferizajt.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe natyrës serioze të lëndimeve, ai është transferuar menjëherë për trajtim në QKUK në Prishtinë.

Policia ka arritur ta identifikojë të lënduarin si Lirim Veseli nga Komogllava.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe inspektorët e punës, të cilët kanë nisur ekzaminimet lidhur me kushtet e sigurisë në objekt dhe rrethanat e aksidentit.

Rasti është iniciuar për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

By admin1