Qëllohet për vdekje biznesmeni i njohur bullgar, ishte pronar i një klubi futbolli

Biznesmeni i njohur bullgar Ilijan Filipov (53), bashkëpronar i kompanisë më të madhe të transportit në Bullgari, “PIMK”, dhe pronar i klubit të futbollit “Botev Plovdiv”, është vrarë gjatë natës në një incident të armatosur në Plovdiv.

Sipas informacioneve të para nga autoritetet hetimore, Filipov është qëlluar me armë zjarri në kokë. Ngjarja ka alarmuar policinë bullgare.

Incidenti është raportuar rreth orës 01:00 pas mesnate, pas së cilës Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë ka bllokuar hyrjet dhe daljet e qytetit të Plovdivit, në përpjekje për të lokalizuar dhe arrestuar autorin.

Hetuesit në terren po shqyrtojnë të gjitha pistat. Sipas burimeve hetimore, mënyra e ekzekutimit ngre dyshime se bëhet fjalë për një vrasje të përgatitur dhe të kryer me profesionalizëm.

Policia ka bërë të ditur se po hetohen të gjitha versionet dhe motivet e mundshme, duke marrë parasysh edhe profilin e Filipovit si një nga biznesmenët e fuqishëm në Bullgari.