Nga padrejtësitë e viteve të tetëdhjeta dhe deri në fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët në diasporë, përmes protestave të shumta në të gjitha vendet perëndimore, filluan të sensibilizojnë botën mbarë për padrejtësitë dhe diskriminimin etnik që përjetonin në trojet e tyre etnike.

Si në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, ashtu edhe kudo ku jetonin e jetojnë shqiptarë jashtë kufijve të shtetit amë.

Reklame

Në disa protesta masovike në Itali, si p.sh. në Romë, Firence dhe Abruzzo, ku jetonin dhe vepronin një numër më i madh shqiptarësh që kishin braktisur vendin nga padrejtësitë, zhvilloheshin diskutime të shumta për pozitën e shqiptarëve.

Në një nga këto tubime, një gazetare italiane më pyeti: “Po shqiptarët në Maqedoni si jetojnë?”

Për ta kuptuar më qartë realitetin e atyre viteve, i thashë:

“Ne jetojmë në një territor të caktuar të vendit, që dallohet qartë sepse në ato vende flitet shqip. Pyjet, fushat, fshatrat dhe qytetet, sidomos shtëpitë individuale, janë në shumicë absolute të shqiptarëve; ndërsa banesat kolektive u janë ndarë falas nga shteti maqedonasve, kolonëve rusë, serbë, grekë, polakë etj. Kazermat janë të tyre, eprorët ushtarakë, policia dhe drejtorët nëpër institucione po ashtu.”

Ajo e kuptoi shpejt realitetin dhe në italisht më tha:

“Allora, siete sotto occupazione!”

Që në shqip do të thotë:

“Qenkeni të okupuar!”

By admin7