“Roaming si në shtëpi” me Bashkimin Evropian supozohej të ishte një nga përfitimet simbolike, por edhe praktike që qytetarët e Maqedonisë do të ndiejnë edhe para anëtarësimit të plotë në BE. Në vend të kësaj, masa është shndërruar gradualisht në një premtim tjetër politik me afate që ndryshojnë vazhdimisht, tipike për realitetin politik të Maqedonisë – shumë njoftime, pak zbatim, transmeton Portalb.mk.
Deklarata e fundit e Ministrit të Dixhitalizimit Stefan Andonovski se Maqedonia mund të presë “roaming si në shtëpi” me BE-në vetëm nga janari 2027 vetëm sa konfirmoi përshtypjen se publiku nuk beson më në afatet e shpallura nga Qeveria.
Sidomos pasi kjo nuk është shtyrja e parë, as e dyta.
Vetëm në dy vitet e fundit, qytetarët kanë dëgjuar disa data të ndryshme. Së pari, u fol për shtatorin e vitit 2025. Pastaj afati u zhvendos në dhjetor të të njëjtit vit. Kjo u pasua nga njoftimi optimist i fillimit të vitit 2026, i cili u përmend edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski pas takimeve me përfaqësuesit evropianë.
Ndërkohë, Komisionerja Evropiane Marta Kos foli gjithashtu për mundësinë e roaming duke filluar nga 1 janari 2026, nëse plotësohen parakushtet.
Por me kalimin e kohës, deklaratat optimiste filluan të shndërroheshin në shpjegime administrative. Qeveria filloi të thoshte se Maqedonia i kishte “plotësuar kushtet”, por se procesi varej nga Bashkimi Evropian, operatorët, rregullatorët dhe procedurat shtesë. Në fund, premtimi arriti në vitin 2027.
Këtu lind dilema thelbësore – nëse Qeveria premtoi me nxitim diçka që e dinte paraprakisht se nuk mund ta zbatonte brenda afateve të shpallura, apo nëse ky është komunikim klasik politik në të cilin efekti i njoftimit është i rëndësishëm, jo saktësia e afatit.
Problemi nuk është vetëm te roamingu. Problemi është se publiku gjithnjë e më shumë njeh të njëjtat modele. Njoftime të mëdha me një narrativë evropiane, afate optimiste, promovim mediatik dhe më pas relativizim gradual të pritjeve.
Në fund, në vend të një rezultati konkret, mbetet përshtypja se premtimet funksionojnë sipas “standardeve maqedonase”. Gjithmonë ka një afat të ri, një justifikim të ri dhe një shpjegim të ri pse diçka që ishte “pothuajse e bërë” shtyhet përsëri.
Ironia është se koncepti i “roamingut si në shtëpi” duhej të nënkuptonte përafrim me standardet evropiane. Në vend të kësaj, e gjithë historia filloi të ngjante me traditën politike vendase në të cilën afatet shërbejnë më shumë si marketing politik sesa si detyrime reale për t’u përmbushur.
Sigurisht, këto premtime, premtime dhe vetëm premtime ngrenë pyetjen tek qytetarët nëse duhet t’u besojnë fare afateve të shpallura nga Qeveria. Dhe kur një premtim shtyhet kaq shumë herë, atëherë njoftimi i vitit 2027 tingëllon më shumë si një episod i ri i historisë së vjetër sesa si një datë përfundimtare.
“Një skenar optimist është që deri në fund të vitit ta kemi këtë mundësi për qytetarët tanë. Megjithatë, kjo varet nga Bashkimi Evropian, afati nuk varet nga ne, por do të nënkuptonte një skenar optimist – roaming nga 1 janari 2027”, deklaroi Andonovski, i cili mori pjesë në një ngjarje kushtuar konkurrueshmërisë, inovacionit dhe transformimit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nisma është e Bashkimit Evropian, ndërsa qëllimi i saj është ulja e shpenzimeve të roamingut për qytetarët e Ballkanit Perëndimor që do të udhëtojnë në Bashkimin Evropian dhe për qytetarët e Bashkimit Evropian që udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pavarësisht dezinformatave se kemi qenë të përjashtuar, bëmë përpjekje serioze dhe shteti miratoi rregullativën e nevojshme për t’i zbatuar katër direktivat dhe rregulloret e BE-së dhe për të mundësuar roaming falas për qytetarët e Maqedonisë kur do të udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Ligjet, përkatësisht ndryshimi i fundit i Ligjit për komunikime elektronike, është dërguar në Komisionin Evropian për mendim, është miratuar në Qeveri dhe është dërguar. Pas mendimit pozitiv nga ana e BE-së, do të miratohet edhe në Kuvend”, tha Andonovski.
Ndërkohë, BE-ja fillon procesin negociues, ndërsa negociatorët nga pala jonë tashmë janë zgjedhur.
Ministri siguron se “jemi të gatshëm të hyjmë menjëherë në këtë proces“, por afatet do të varen nga Bashkimi Evropian.
Ky program i Komisionit Evropian është një rregullore e BE-së që lejon përdorimin e telefonave mobilë në vende të tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin amë.
Kjo do të thotë se kur përdoret telefoni mobil në zonën e BE-së, nuk ka shpenzime shtesë roamingu për thirrje, SMS apo përdorim të internetit.
BE-ja e vendosi “Roaming si në shtëpi” në qershor të vitit 2017. Ai vlen për vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Zonës Ekonomike Evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.


