Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është përmbyllur pa incidente që do të cenonin integritetin dhe besueshmërinë e votës.
Në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, Radoniqi tha se bazuar në raportimet nga terreni, procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt në të gjithë vendin.
“Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, të mbledhura nga mbi 98 për qind e vendvotimeve, deri në orën 19:00 kanë votuar 712.148 qytetarë, që përbëjnë 36.33 për qind të elektoratit me të drejtë vote.
Kjo shifër paraqet një rënie të dukshme krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur pjesëmarrja kishte arritur në 44.99 për qind, ose 899.517 votues.
Radoniqi falënderoi institucionet e përfshira në proces, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe KEDS-in, si dhe personelin e angazhuar në votimin e organizuar jashtë vendit.
Pas mbylljes së vendvotimeve ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike, ndërsa KQZ bëri të ditur se rezultatet preliminare do të publikohen në platformën elektronike sapo të përfundojë numërimi në secilin vendvotim.
Nga ora 19:00 ka hyrë në fuqi edhe afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e votimit.

