Rama: “Drogagji” refreni që më ndjek si e vërtetë

Nga mbledhja e grupit të PS, kryeministri Edi Rama thotë se kurrë nuk ka qenë pjesë e takimeve në Aruba, ashtu siç pretendohet në rrjet.

Rama tha se në epokën e algoritmeve, përsëritja e vazhdueshme e një pretendimi mjafton që ai të perceptohet si i vërtetë

“Fatos Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën. Në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë.

Siç është bërë e vërtetë që unë jam një konsumator kokaine. Fjala “drogagji”, “ik mor drogagji”, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë. Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë”, tha Rama.

By admin7