Rama: Evropa për shqiptarët mbetet ëndërr, amanet kombëtar dhe mision politik i pandryshueshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Evropa mbetet projekti më i madh i paqes, bashkëjetesës dhe lirisë në historinë moderne, duke theksuar se ideja evropiane lindi mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar një kontinent pa konflikte dhe ndarje.

Gjatë aktivitetit të organizuar në Tiranë për shënimin e Ditës së Evropës, ku mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Rama tha se ndërtimi i një Evrope pa kufij dhe pa armiqësi mes popujve kërkoi vizion dhe besim të jashtëzakonshëm.

Reklame

“Europa u ndërtua mbi një det gjaku pas Luftës së Dytë Botërore, por arriti të krijojë një hapësirë ku popujt nuk jetojnë më kundër njëri-tjetrit, por bashkë me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.

Sipas tij, 9 Maji nuk simbolizon vetëm krijimin e Bashkimit Evropian, por vetë Evropën si hapësirë të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor.

Kryeministri shqiptar paralajmëroi se Evropa dhe bota po përballen me sfida të vështira, por shtoi se historia evropiane tregon qartë se izolimi, frika dhe pesimizmi nuk janë zgjidhje.

“Nuk është kohë e lehtë për Europën dhe botën, por pikërisht tani duhet të kujtojmë se mbyllja dhe humbja e besimit tek vlerat europiane janë rruga e gabuar”, deklaroi ai.

Duke folur për rrugën evropiane të Shqipërisë, Rama theksoi se integrimi në BE mbetet një objektiv strategjik dhe një amanet kombëtar për shqiptarët, duke kujtuar periudhën e izolimit që ka kaluar vendi.

“Ne e dimë më mirë se shumë të tjerë çfarë do të thotë izolimi dhe jetesa pas mureve”, tha Rama, duke shtuar se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për integrimin evropian vazhdon të mbetet ndër më të lartat në rajon.

Ai theksoi gjithashtu se procesi i integrimit evropian dhe reformat e lidhura me të janë kthyer në projekt kombëtar të pakthyeshëm për Shqipërinë.

Në fund të fjalës së tij, Rama iu referua edhe zhvillimeve të fundit ndërkombëtare në Tiranë, duke përmendur organizimin e një ngjarjeje globale si prelud i Kongresit Botëror të Ligjit, të cilën e cilësoi si dëshmi të transformimit dhe rolit të ri ndërkombëtar të Shqipërisë.

By admin7