Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke lidhur me incidentin e ndodhur në Zvërnec, duke e cilësuar të tepruar reagimin e Athinës dhe duke theksuar se ngjarja nuk përbën dhunë shtetërore.
“Për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta sepse jam injorant. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme greke”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ngjarja në fjalë nuk ishte akt i organizuar nga shteti shqiptar, por një incident i shkaktuar nga roje private.
“Nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë apo në rrugët e Greqisë. Ishte një akt dhune nga një grup rojesh privatë”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se reagimi i Athinës, duke vënë theksin te përkatësia etnike e protestuesit, nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat sipas tij ndodhen në një periudhë të mirë.
Duke folur për çështjen e pronësisë, ai nënvizoi se pretendimet mund të jenë legjitime, por zgjidhja e tyre duhet të vijë përmes institucioneve dhe gjykatave.
“Pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie. Nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbesim pezull në titujt e pronësisë, pas katrahurës që kemi trashëguar për fat të keq”, tha Rama.


