Rama për rezolutën e miratuar nga PE: Amendamenti s’lidhet me Zvërnecin

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se “rishikimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e agjendës së negociatave me Bashkimin Evropian”.

Në një reagim në rrjetet sociale lidhur me debatet pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian të propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë parlamentar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, Rama theksoi se “disa tamtamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë”.

“Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale”.

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Rama tha se “europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardet e BE-së”.

“Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përfshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar”, tha Rama.

By admin4