Rama “shpërthen” ndaj Iranit: “S’keni turp, gjaku i mijëra njerëzve rëndon mbi ju!”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të autoriteteve iraniane lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke akuzuar regjimin e Teheranit për ndërhyrje, propagandë dhe sulme kibernetike kundër Shqipërisë.

Reagimi i Ramës erdhi pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare të mos fajësojë Teheranin për protestat, por të dëgjojë qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama deklaroi se qeveria iraniane po përpiqet të instrumentalizojë protestat në Shqipëri, duke theksuar se vendi është një demokraci ku qytetarët kanë të drejtë të protestojnë lirshëm, ndryshe nga Irani ku, sipas tij, kundërshtarët përballen me censurë, represion dhe burgosje.

Kryeministri shqiptar kujtoi gjithashtu sulmet kibernetike që çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, duke akuzuar Teheranin për përhapje të dezinformatave dhe videove të manipuluara në rrjetet sociale.

“Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të kritikojnë qeverinë dhe të protestojnë pa frikë. A mund të thuhet e njëjta gjë për qytetarët në Iran?”, shkroi Rama, duke shtuar se regjimi iranian nuk mund t’i japë Shqipërisë leksione mbi demokracinë dhe sovranitetin.

Në fund të reagimit të tij, Rama përdori tone edhe më të ashpra ndaj Teheranit, duke e cilësuar regjimin iranian si një “shtet terrorist sipas vetë përkufizimit”, ndërsa theksoi se propaganda dhe ndërhyrjet e huaja nuk do të ndikojnë në rrugën demokratike të Shqipërisë.

https://x.com/ediramaal/status/2064625375989088258?s=20

By admin